Kërkesë Për Rritje të Rrogës Për Oficerët e Sigurisë 2026
Kërkesë
Për rritjen e pagës së Oficerëve të Sigurisë në shkolla
Drejtuar:
- Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama
- Këshillit të Ministrave
- Ministrisë së Financave
- Ministres së Arsimit dhe Sportit, Znj. Mirela Kumbaro
Të nderuar,
Ne, Oficerët e Sigurisë që ushtrojmë detyrën në institucionet arsimore parauniversitare, kërkojmë rishikimin e VKM nr. 425, datë 25.06.2024, për rritjen e pagave, me qëllim përfshirjen tonë në të njëjtat standarde trajtimi financiar si punonjësit e tjerë arsimorë dhe psiko-socialë.
Edhe pse kemi përfituar një rritje minimale page, kjo ka qenë në përqindje shumë të ulët, e cila nuk reflekton ngarkesën, përgjegjësinë dhe riskun që mbart detyra jonë. Aktualisht, paga neto minimale e Oficerit të Sigurisë është 58,500 lekë, e pamjaftueshme për të përballuar koston e jetesës dhe përgjegjësitë që mbajmë çdo ditë.
Pozicioni ynë është përcaktuar me VKM nr. 600, datë 09.10.2018, dhe VKM nr. 60, datë 13.02.2019, ndërsa buxheti për pagat tona miratohet nga Ministria e Arsimit. Megjithatë, që prej krijimit të këtij pozicioni, rritjet e pagave nuk kanë qenë të njëjta me ato të punonjësve të tjerë arsimorë.
Kërkojmë që të bëhet një rritje e ndjeshme e pagës së Oficerëve të Sigurisë, në përputhje me rëndësinë e rolit tonë në sistemin arsimor dhe me parimin e barazisë në shpërblim, të përcaktuar në nenin 115 të Kodit të Punës.
Ky ndryshim do të siguronte motivim më të madh, stabilitet profesional dhe do të forconte më tej punën për sigurinë e nxënësve dhe mjedisin shkollor. Oficerët e Sigurisë janë të trajnuar dhe të certifikuar nga Akademia e Sigurisë dhe përballen çdo ditë me situata që kërkojnë ndërhyrje, përgjegjësi dhe bashkëpunim me institucionet e rendit, shpesh pa mbështetje financiare të mjaftueshme apo rimbursim për kostot e transportit.
Kërkojmë që kjo çështje të paraqitet për shqyrtim në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave, me synimin për të përfshirë Oficerët e Sigurisë në paketën e rritjeve të pagave të vitit 2026
Në emër të Oficerëve të Sigurisë në shkolla,
(Emrat dhe nënshkrimet bashkëlidhur)
Comment
See More 0