Erion Prendi 0

LETER E HAPUR KRYEMINISTRIT TE SHQIPERISE Z. EDI RAMA

Erion Prendi 0 Comments
503 people have signed. Add your voice!
51%
Maxine K. signed just now
Adam B. signed just now

LETER E HAPUR KRYEMINISTRIT TE SHQIPERISE Z. EDI RAMA

TIRANE ME 23.09.2015

Zoti Kryeministër, Fillimisht e ndjejmë për detyrë që me anën e kësaj Letre të Hapur t’ju urojmë Juve dhe kabinetit tuaj ministror, suksese në realizimin e programit qeverisës dhe në aksionin kundër informalitetit në ekonominë e vendit tonë. Me këtë rast, për të na ardhur edhe neve në ndihmë si grup interesi, farmacistë profesionistë të rrjetit të hapur farmaceutik dhe taksapagues prej vitesh dhe në vazhdimësi, dëshirojmë të ngremë pranë Jush disa problematika që na e bejne gati të pamundur ushtrimin e profesionit e për rrjedhojë dhe të profesionit sipas standarteve që kërkon koha.Theksojmë që këto janë probleme të grumbulluara në vite, probleme te ditura më së miri dhe nga institucione të fushës sonë, probleme te ngritura dhe në shtyp apo rrjete sociale e që vazhdimisht mbeten zyrave dhe kanë rënë në vesh të shurdhër për vite me radhë.

  • Së pari: Kërkojmë rishqyrtimin dhe ndryshimin e Ligjit te Barnave dhe Shërbimit Farmaceutik Shqiptar. Kërkojmë të sanksionohet në ligj ndalimi i futjes në Shqipëri të barnave me më pak se 24 muaj afat përdorimi nga data e prodhimit. Kjo do të bëjë që në vendin tonë të futen barna më të sigurta dhe më me cilesi e do t'i presë rrugën e futjes në Shqipëri të barnave afër skadencës, do rikthejë besimin e humbur të pacientëve tek tregu ynë farmaceutik, do ulë deri në zhdukje stokun e barnave në farmaci dhe do ndikojë në ruajtjen pastër të ambientit ku jetojmë që në fund të fundit është një kosto më vete.
  • Kërkojmë që Pronari i Farmacisë të jetë farmacisti drejtues teknik i saj, punonjës me kohë të plotë në farmacinë tek e cila është i licencuar. Kjo do te rikthejë dinjitetin e humbur profesional dhe rikthimin e farmacisë në njësi shërbimi e jo vazhdimin e ekzistencës më së shumti thjesht si njësi tregtimi sic po ndodh rëndom e per vite me radhë. Si rrjedhojë e anashkalimit të këtij rregulli që duhet të jetë absolut dhe i padiskutueshëm, sot kemi nje realitet ku ekzistojnë farmaci të tëra ku punohet në mungesë të Drejtuesit teknik, kemi farmaci të tëra ku licenca është e trafikuar (e dhënë me qera si askund tjetër), ku farmacisti i lartë mungon fare, aktiviteti ushtrohet nga persona që zotërojnë paranë, por s'kanë asnjë lidhje me profesionin e situata të tilla me absurditete nga më të ndryshmet dhe arrin deri aty sa drejtuesi teknik jeton në një cep të Shqiperise apo dhe jashtë shtetit, dhe ushtron aktivitetin online në cepin tjetër të Shqipërisë, në mes të qyteteve kryesore të vendit.
  • Kërkojmë të shikohet mundësia e rikthimit të të drejtës së ushtrimit të profesionit të gjithë kolegëve tanë në pension apo prag pensioni, persona të aftë fizikisht për punë, e drejtë kjo e mohuar nga ndryshimet e fundit të bëra në Statutin e UFSH –së dhe të kontestuara prane Jush, por dhe në Gjykatën Administrative të Republikës së Shqipërisë. Ata janë dhe mbeten profesionistë të fushës për një jetë të tërë e përderisa gëzojnë shëndet dhe janë të regjistruar pranë sigurimeve shoqërore e paguajnë detyrimet si të gjithë nuk ka pse tu mohohet kjo e drejtë perveçse në rastet kur e ndalon ligji mbi punësimin. Nuk është kusht të të mohohet e drejta për të punuar nëse nuk ke fatin të punosh në biznesin tënd.
  • Kërkojmë nga Ju që organet shtetërore përkatëse të bëjnë verifikimin e të gjitha diplomave të dala me shumicë nga universitetet private tashmë të mbyllura. Jemi në një situatë ku persona të moshave të ndryshme, por dhe ushtrues të profesioneve të ndryshme për vite me radhë sot jane pajisur me diploma farmacie. Përflitet se numri i tyre arrin në mbi 600 diploma. Eshtë lehtësisht e verifikueshme nga regjistrat e sigurimeve shoqërore nëse një person ka punuar me kohë të plotë diku apo ka qenë student i degës farmaci në një periudhë të caktuar. Në përputhje me rastet e konstatuara sugjerojmë ndërhyrjet përkatëse nga ana e Ministrisë së Arsimit, që nga përsëritja e Provimit Shtetëror për të gjithë rastet e evidentuara me shkelje, mosnjohjen e Provimit Shtetëror përpara vitit 2015, tek zgjatja e kohës për pajisjen me licencë të drejtuesit teknik deri në 10 vjet mbi bazën e rezultatit të arritur në këtë provim e deri në mosnjohje fare të diplomave të lëshuara nga këto universitete në mënyrë fiktive. Ky verifikim i domosdoshëm do sillte rritjen e cilësisë së shërbimit farmaceutik.
  • Kërkojmë pezullimin e hapjes së farmacive të reja deri në rivendosjen me ligj të kriterit të distancës mes farmacive të paktën 200 m dhe kriterit të hapjes së farmacisë mbi bazën e dendësisë së popullsisë mesatarisht një farmaci për 4-5 mije banorë.
  • Kërkojmë rritjen e marzhit të tregtimit të barit në 30% pasi ndodhemi mesatarisht në 10-13% e kjo e ka cuar aktivitetin tonë në kufijtë e ekzistencës me pak përjashtime. Shumica absolute e jona përveç detyrimeve tatimore punojnë në ambiente të dhëna me qera çka përbën një ngarkesë më tepër dhe në përgjithësi jo të vogël. U bëjme me dije se marzhi i tanishëm është shumë më poshtë se në të gjitha vendet e rajonit. Për barnat e listës së rimbursueshme kërkojmë të shihet mundësia për marzh të unifikuar dhe jo të diferencuar si deri më tani. Për të gjithë Ne si farmacistë vendosja e TVSH-se mbi barnat është konceptuar si e tepërt dhe jo e duhura për buxhetin e të sëmurëve. Ne të gjithë e kemi mirëpritur heqjen e saj nga ana e Qeverisë edhe pse duhej gjetur një mënyrë disi më e lehtë për periudhën e kalimit drejt një tregu me barna pa TVSH. Sot pas 1 viti e gjysëm nga masa e marrë nga Ana Juaj, ne kërkojmë të shikohet mundësia nga ana e Ministrisë së Financave e kompensimit të TVSH –së së zbritur mbi barnat që me datën 1 prill 2014, vlerë e deklaruar pranë organeve tatimore në bazë të inventarëve të çdo farmacie, inventare këto të dorëzuara e të pranuara sipas legjislacionit në fuqi. Edhe pse ka kaluar jo pak kohe, ne nuk dimë akoma një zgjidhje apo një datë të caktuar të rimbursimit të kësaj vlere nga organet përkatëse.
  • Në lidhje me problematikën e hasur në aktivitetin tonë të përditshëm me depot grosiste apo ato sekondare jo rrallë jemi vënë para situatash imponuese që na vënë në vështirësi financiare dhe jo vetëm. Ka plot raste kur stoku i depove rëndon farmacitë si pasojë e politikave imponuese të ndjekura. Sugjerojmë hapjen e tregut tonë farmaceutik edhe për distributore farmaceutikë të vendeve fqinje çka do ndikonte në uljen e mungesave të tregut deri në minimizim të tyre dhe në një sjellje më korrekte të distributorëve ndaj nesh. Të shihet mundësia e lejimit të importimit të barnave në tregun tonë edhe nga ana e vetë farmacive të grupuara si grupe farmaceutike, praktika të njohura këto dhe jashtë vendit.
  • Të ndalohet tregtimi i barnave nga ana e mjekëve në klinikat e tyre private. E gjykojmë këtë veprim si ndërhyrje në dëm të aktivitetit të farmacisë dhe njëherazi edhe evazion fiskal.
  • Mjekët në Republikën e Shqipërisë të përshkruajnë barin/medikamentin me Lëndën Aktive pra emërtimin ndërkombëtar të barit. Kjo gje do të çonte në rregullimin e sistemit farmaceutik sepse shumë firma farmaceutike financojne mjekët në përshkrimin e preparatateve. Kjo gjë do të na lehtesonte punën në farmaci. Përshkrimi i preparatit me lëndën aktive ndodh në të gjithë rajonin tonë dhe më gjerë në botë, është pacienti ai që vendos mbi një preparat brand apo xhenerik, ndërkohe që vetëm farmacisti mundet t'ia sugjerojë.
  • Ju propozojmë të rishikohet stafi akademik në Universitete, sidomos në ato private. Ligji thotë që 60% e pedagogëve duhet të jenë pedagogë të brendshëm me grada dhe botime shkencore. Por pranohen pedagogë dhe studentë të sapodiplomuar dhe jo me nota të larta. Pra: Si ka mundësi që një student i cili është me notë mesatare 5 ose 6 të futet në një universitet privat dhe të punojë pedagog më pas?
  • Në lidhje me marrëdhënien dypalëshe me FONDIN E SIGURIMIT TE DETYRUESHEM TE KUJDESIT SHENDETESOR : - Ne kemi një kontratë me Fondin por kontrata në kuptimin civil juridik është marrëdhënie besimi, partneriteti dhe mbështetje, ndihmë për të mirën e shërbimit farmaceutik, pra Fondin blen shërbimin tonë duke ja ofruar të sëmurit, por si mund të jetë e tillë kjo kontratë kur çdo dite kjo na paraqitet si kontratë e njëaneshme dhe vetem penalizohemi. Sugjerojmë që kontratat mes Fondit dhe farmacive të hartohen përmes një fryme bashkepunimi ku dhe Ne te jemi pjesëmarres reale e jo të priten formalisht sugjerime nga ana jonë, praktikë e ndjekur si deri me sot.

Zoti Kryeministër ! Me të drejte Ju do vëreni shtjellim të hollësishëm të problematikave tona, pse jo dhe një Letër të zgjatur drejtuar Juve. Me të drejtë Ju do mendoni se këto probleme mund tu ishin sugjeruar kohë pas kohe nga Urdhri i Farmacisteve (UFSH), organi ynë përfaqësues pranë organeve shtetërore përsa i përket rolit te tij e s'kishim pse sot t'Ju vinim Juve para gjykimit të tërë këtyre problematikave. Ne kemi kohë qe flasim e diskutojmë mes nesh, situata dhe problematika njihet mire dhe nga UFSH, por reagimi i tyre i deritanishem është pothuajse inekzistent. Vërejmë me dhimbje se përfaqësohemi nga individë që u intereson vëtem shuma disaqindra milionëshe e mbledhur nga komuniteti ynë e jo problematika e ngritur edhe në këtë letër pranë Jush. Ne kërkojme Auditimin financiar të Urdhrit pasi gjykojmë se detyrimet tona karshi Urdhrit janë të larta për të mos thëne jo korrekte. Edhe pse UFSH ka te njejten organike si ketu e shume vite me pare kur u krijua, ne aktualisht jemi disa here me te shumte ne numer si profesioniste te fushes, sot ne pauajme detyrime ne te njejten vlere si ne vitin e pare te krijmit te Urdhrit. Me te drejte kerkojme te dime si menaxhohet dhe ku perfundon fondi i mbledhur kohe pas kohe dhe ne vazhdimesi. Ne te njejten kohe ne jo pak raste eshte anashkalimi i Statutit nga ana e UFSH –se qe na ka sjelle ne keto situata. Per keto çeshtje qe ne ju kemi parashtruar, si grup i madh interesi kemi bindjen e plote tek ju z.Kryeminister, tek kabineti juaj, dhe tek qeveria juaj qe ne kontribuam te dëgjohet zëri ynë, zëri i një profesioni me vlerë. Zëri i shëndetësisë. Në përfundim ju shprehim konsideratat më të larta për ju dhe qeverine tuaj.

Me respekt, Farmacistët e Republikës së Shqipërisë

Share for Success

Comment

503

Signatures