Barazi për Studentët e Kosovës në Tetovë dhe Tiranë– Subvencione për Të Gjithë
Peticioni drejtuar Ministres së Arsimit të Republikës së KosovësLënda: Kërkesë për përfshirjen e studentëve nga Kosova që studiojnë në Tetovë dhe Tiranë në skemat shtetërore të mbështetjes financiare
Ne, studentët nga Republika e Kosovës që ndjekim studimet universitare në Tetovë, Maqedoni e Veriut,si dhe në Tiranë i drejtohemi Ministrisë së Arsimit me këtë kërkesë për të adresuar një padrejtësi që prej vitesh rëndon mbi ne: mospërfshirja jonë në skemat shtetërore të subvencionimit dhe mbështetjes financiare për studentët kosovarë.
Pavarësisht se jemi qytetarë të Republikës së Kosovës dhe i nënshtrohemi të njëjtave obligime shtetërore si të gjithë qytetarët e tjerë, ne jemi përjashtuar në mënyrë sistematike nga mbështetjet që ofrohen për studentët që studiojnë brenda vendit apo në universitete të tjera të njohura nga shteti. Kjo përjashtim përbën një trajtim të pabarabartë dhe diskriminues, i cili cenon të drejtën tonë për arsim dhe barazi.
Është me rëndësi të theksohet se shumica dërrmuese e studentëve nga Kosova që studiojnë në Tetovë, pas përfundimit të studimeve, kthehen në Kosovë për të punuar dhe për të dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e vendit. Ata angazhohen në sektorë të ndryshëm – publik dhe privat – dhe përfaqësojnë një potencial të çmuar njerëzor dhe profesional për shoqërinë tonë.
Me këtë peticion, ne kërkojmë që:
- Të përfshihemi në të gjitha format e subvencionimit dhe mbështetjes financiare që ofrohen nga shteti për studentët e arsimit të lartë;
- Të njihet barra shtesë ekonomike që mbajmë si studentë që studiojmë jashtë vendit, por në institucione arsimore që tradicionalisht kanë qenë një zgjedhje e rëndësishme për mijëra studentë nga Kosova;
- Të sigurohet një trajtim i drejtë dhe i barabartë për të gjithë studentët kosovarë, pa dallim vendndodhjeje të studimeve.
Kjo është një çështje e drejtësisë dhe e përfaqësimit të barabartë. Zëri ynë meriton të dëgjohet dhe kërkesa jonë meriton të trajtohet me seriozitetin që i takon.
Ju ftojmë të nënshkruani këtë peticion si shenjë mbështetjeje për një të drejtë që na takon të gjithëve.
Enter your details on the next page
Comment
See More 0